Parlamenti Europian ka rrëzuar amendamentin e paraqitur nga eurodeputetja italiane Ilaria Salis dhe disa anëtarë të grupit politik The Left, i cili synonte të përfshinte në rezolutën për Shqipërinë një referencë të drejtpërdrejtë ndaj projektit turistik në ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Amendamenti i depozituar më 10 qershor 2026 në kuadër të raportit për Shqipërinë të hartuar nga eurodeputeti Andreas Schieder, kërkonte që, përveç kritikave ndaj ligjit shqiptar për Investimet Strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të shtohej edhe një paragraf i posaçëm për projektin e zhvillimit turistik në Sazan.
Në tekstin e amendamentit, eurodeputetët shprehnin shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners, të lidhur me Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës. Gjithashtu, amendamenti kërkonte mbështetje për hetimin e SPAK mbi këtë çështje dhe bënte thirrje për garantimin e së drejtës për protestë paqësore, duke iu referuar përplasjeve të ndodhura në fund të muajit maj 2026.
Megjithatë, propozimi nuk mori mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve dhe u rrëzua gjatë procesit të votimit të amendamenteve.
Si pasojë, rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian nuk përmban asnjë referencë specifike ndaj projektit në Sazan apo protestave të zhvilluara në Zvërnec.